Në kuadër të Programit të Praktikave të Punës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dëshiron të bashkëpunojë me Universitetin e Tiranës, me qëllim përfshirjen e studentëve dhe të rinjve të sapodiplomuar në iniciativa me karakter zhvillimor dhe përfitim praktik në terren.
FSHZH është një organizatë jofitimprurëse me mbi 30 vite përvojë në zbatimin e projekteve të rëndësishme në fushat e infrastrukturës, urbanizimit, zhvillimit rajonal dhe turizmit. Në kuadër të angazhimeve tona në rritje dhe rëndësisë së përfshirjes së të rinjve në proceset zhvillimore, kemi ndërtuar një program praktikash që synon fuqizimin e tyre përmes përvojës konkrete dhe punës në ekip.
Duke marrë në konsideratë numrin e studentëve që ndjekin studimet pranë Universitetit të Tiranës dhe prejardhjen e tyre nga zona të ndryshme të vendit, do të vlerësonim propozimin e kandidatëve me vendbanim në Korçë, Gjirokastër, Berat, Shkodër, Lezhë, Kukës, Durrës, Elbasan, Peshkopi, Vlorë, Fier dhe Sarandë, të cilët janë të interesuar të angazhohen profesionalisht në këto qytete.
Profilet akademike me interes janë:
- Inxhinieri;
- Shkenca sociale;
- Shkenca ekonomike.
Studentët dhe të rinjtë e sapodiplomuar do të përzgjidhen përmes një procesi transparent aplikimi dhe interviste. Për çdo praktikant do të lidhet një kontratë praktike me pagesë, në nivelin e pagës minimale në vend, për një periudhë fillestare 6-mujore, me mundësi zgjatjeje në varësi të performancës dhe nevojave të projekteve. Angazhimi do të jetë me kohë të plotë.
Propozimet mund të na dërgohen brenda datës 02.10.2026 në adresën elektronike Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.. Kandidaturat do të shqyrtohen në përputhje me nevojat e organizatës dhe kriteret e programit të praktikës.