Çfarë janë kriptomonedhat?

Kriptomonedha është realiteti i ri i parasë digjitale e cila po tenton të zërë vend në tregjet ndërkombëtare si një alternativë pagese krahas formave tradicionale të pagesës. Kriptomonedha e parë është Bitcoin e krijuar në vitin 2009. Deri në fillim të vitit 2021 ekzistonin më shumë se 5000 kriptomonedha ku më të njohurat dhe përdorurat janë Bitcoin (BTC), Ethereum (ETH), Litecoin (LTC), Cardano (ADA), Polkadot (DOT), Namecoin (NMC), Peercoin (PPC) etj.

Kriptomonedhat mund të përdoren për blerjen e mallrave dhe shërbimeve dhe njëkohësisht si një alternativë investimi për të përfituar nga ndryshimi i vlerës së tyre të tregut.

Ndryshe nga paraja ligjore (leku, dollari amerikan, euro, etj) të cilat emetohen dhe menaxhohen nga Banka Qendrore, për kriptomonedhat nuk ka asnjë autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e tyre. Janë përdoruesit e kriptomonedhave në internet ata që garantojnë sigurinë e kriptomonedhave dhe ndikojnë mbi vlerën e tyre.

Si funksionon kriptomonedha?

Një kriptomonedhë është një mjet digjital këmbimi, i koduar dhe i bazuar mbi teknologjinë “Blockchain”. “Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë nëpër kompjuterë të panumërt në të gjithë botën i cili regjistron transaksionet e koduara për një kriptomonedhë. Transaksionet e regjistruara në "blloqe" lidhen së bashku duke krijuar një "zinxhir" të transaksioneve të mëparshme të një kriptomonedhe. Një kopje identike të këtij blloku zinxhir e kanë të gjithë ata që përdorin një kriptomonedhë. Çdo transaksion i ri që kryhet me një kriptomonedhë regjistrohet nga software-i dhe të gjitha kopjet e bllokut që ekzistojnë në rrjet përditësohen njëkohësisht me informacionin e ri, çka bën që të gjithë regjistrat të kenë një informacion identik.

Si mund të përdoren kriptomonedhat për kryerjen e pagesave?

Kriptomonedhat konsiderohen para nga krijuesit e tyre çka nënkupton se janë krijuar me synimin primar për t’u përdorur në transaksione për blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Aktualisht niveli i përdorimit të kriptomonedhave në transaksione është i ulët. Përdorimi i kriptomonedhave për blerjen e mallrave dhe shërbimeve realizohet nëpërmjet dy formave:

  1. Nëpermjet transferimit direkt të vlerave, ku blerësi duke përdorur portofolin e kriptomonedhave që zotëron, ndërvepron me bllokun çka bën të mundur që të dërgojë kriptomonedhë tek shitësi. Kjo metodë përdoret atëherë kur shitësi e pranon pagesën me kriptomonedhë.
  2. Në rastet kur shitësi nuk pranon të paguhet direkt me kriptomonedha, atëherë mund të paguhet nëpërmjet përdorimit të kartave të debitit mbështetur mbi kriptomonedha (p.sh. BitPay, në SH.B.A.). Blerësi kryen pagesë me kartë njëlloj si me kartat bankare.

Në çdo rast pagesa nuk konfirmohet menjëherë për shkak se transaksioni duhet të  vërtetohet nga rrjeti. Në varësi të kriptomonedhës, kjo mund të zgjasë nga 10 minuta deri në dy orë. Kjo kohë vonesë është pjesë e asaj që i bën transaksionet me kriptomonedha të sigurta çka pengon përdorimin e të njëjtës kriptomonedhë dy herë.

Sa të sigurta janë kriptomonedhat?

Deri në periudhën kur paraja ishte ar apo këmbehej me ar siguria e saj garantohej nga sasia e arit me të cilën ishte ndërtuar (monedhat e arit) apo me të cilën mund të konvertohej (banknotat). Tashme që jemi në kushtet e parasë ligjore dhe parasë bankare siguria e parasë varet nga besimi tek emetuesi i saj (Banka Qendrore) dhe niveli i inflacionit. Sa më i ulët inflacioni aq më e lartë është fuqia blerëse e parasë dhe rrjedhimisht më e sigurtë është vlera e saj. E njëjta logjikë mund të vlejë dhe për kriptomonedhat në momentin që ato do të jenë gjerësisht të pranuara në transaksione në të njëjtën masë si paraja ligjore. Aktualisht kriptomonedhat nuk garantohen nga një institucion emetues çka shpesh ngre pyetje për sigurinë e tyre. Deri më tani ato po përdoren gjerësisht si alternativë investimi çka bën që vlera e tyre të luhatet si pasojë e luhatjes së kërkesës e cila më së shumti ndikohet nga luhatja e besimit të investitorëve.

A janë kriptomonedhat forma e parë e pagesës digjitale?

Pagesa e mallrave dhe shërbimeve duke përdorur mesazhet e koduara digjitale ka më shumë se 1 dekadë që po përdoret gjerësisht nëpërmjet instrumenteve bankare të pagesës të tilla, si: xhirimet elektronike në llogari, kartat e pagesës, përdorimi i aplikacioneve bankare, platformat e pagesës në internet të tilla si PayPal, bankat online, etj. Të gjitha këto forma pagese e marrin fuqinë blerëse nga paratë e depozituara në bankë dhe përfaqësojnë një mënyrë të shpejtë dhe të sigurtë të qarkullimit të vlerave.

Ky material ka vetëm karakter informues, teknik për kriptomonedhat. Qëndrimet, në rrethet e ekonomistëve e bizneseve, në lidhje me pranimin e përdorimit të tyre janë të ndryshme.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.