Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, është bërë pjesë e Crossref, një nga organizatat ndërkombëtare më të rëndësishme në fushën e komunikimit dhe publikimit shkencor, e cila administron një infrastrukturë globale për regjistrimin dhe menaxhimin e identifikuesve të përhershëm të objekteve digjitale të kërkimit shkencor, përfshirë DOI (Digital Object Identifier). Ky anëtarësim përbën një zhvillim të rëndësishëm për Fakultetin dhe një hap të mëtejshëm drejt përmirësimit të standardeve të publikimit shkencor, rritjes së aksesueshmërisë dhe forcimit të dukshmërisë ndërkombëtare të rezultateve të kërkimit.

Në kuadër të këtij anëtarësimi, revista shkencore The Albanian Journal of Economy and Business (ALJEB), e botuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, është integruar në sistemin e identifikimit DOI. Si rezultat, artikujt shkencorë të botuar në revistë do të pajisen me identifikues DOI unikë dhe të përhershëm, duke mundësuar identifikimin e qëndrueshëm të çdo publikimi, lidhjen e drejtpërdrejtë me artikullin dhe citimin e tij në mënyrë të standardizuar në literaturën shkencore.

Procesi i pajisjes me identifikues DOI do të nisë me artikujt e botuar në Numrin 45, Viti 2026, të revistës ALJEB. Në vijim, procesi do të shtrihet në mënyrë progresive edhe në numrat e mëparshëm të revistës, duke mundësuar identifikimin dhe gjurmueshmërinë e artikujve të botuar ndër vite, si dhe do të zbatohet për të gjithë numrat pasues dhe artikujt e rinj që do të publikohen në revistë. Ky proces do të kontribuojë në krijimin e një arkive të qëndrueshme dhe të standardizuar të publikimeve shkencore të ALJEB dhe në integrimin e tyre më të plotë në infrastrukturën ndërkombëtare të komunikimit shkencor.

Përdorimi i identifikuesve DOI përbën një praktikë të rëndësishme në komunikimin bashkëkohor shkencor, pasi lehtëson gjurmueshmërinë e publikimeve, përmirëson menaxhimin e referencave bibliografike dhe mundëson akses më të lehtë në përmbajtjen shkencore. Nëpërmjet këtij sistemi, artikujt e ALJEB bëhen më të lehtë për t'u identifikuar, referuar dhe shpërndarë në komunitetin akademik dhe kërkimor, duke kontribuar në rritjen e dukshmërisë dhe potencialit të ndikimit të kërkimit të publikuar.

Anëtarësimi në Crossref dhe pajisja e artikujve të revistës ALJEB me DOI dëshmojnë angazhimin e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, për të ndjekur praktikat dhe standardet bashkëkohore të botimit shkencor dhe për të krijuar një mjedis akademik sa më të integruar me infrastrukturat ndërkombëtare të komunikimit shkencor. Ky zhvillim përfaqëson gjithashtu një kontribut në rritjen e cilësisë, transparencës dhe profesionalizmit të procesit të publikimit, si dhe në promovimin dhe ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor të realizuar në Shqipëri.

Në këtë kuadër, ALJEB synon të vijojë përpjekjet për konsolidimin e standardeve të saj editoriale dhe akademike, duke ofruar një platformë cilësore për studiuesit dhe kërkuesit shkencorë për prezantimin dhe shpërndarjen e rezultateve të kërkimit në fushat e ekonomisë, biznesit, IT dhe disiplinave të lidhura me to.

Një nga objektivat strategjikë të ardhshëm të revistës ALJEB është përfshirja dhe indeksimi i saj në databaza shkencore ndërkombëtare prestigjioze dhe të njohura, duke synuar rritjen e vazhdueshme të cilësisë, dukshmërisë, ndikimit akademik dhe numrit të citimeve të punimeve të publikuara. Përmes këtij vizioni, revista synon të forcojë pozicionin e saj në komunitetin akademik kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të krijojë mundësi gjithnjë e më të mëdha për studiuesit që dëshirojnë të publikojnë rezultatet e punës së tyre kërkimore.

Në këtë drejtim, i ftojmë studiuesit, akademikët dhe kërkuesit shkencorë të aplikojnë për publikimin e punimeve dhe arritjeve të tyre kërkimore në revistën shkencore ALJEB, duke përdorur platformën dhe faqen zyrtare të revistës. Kontributi i komunitetit akademik do të jetë i rëndësishëm në vijimin e procesit të zhvillimit, ndërkombëtarizimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të revistës.

Për informacion mbi kriteret e publikimit, udhëzimet për autorët dhe procesin e aplikimit, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të revistës ALJEB:

The Albanian Journal of Economy and Business (ALJEB)

 

 

 

 

Copyright © 2026 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.