
Më 26 maj 2026, Departamenti i Manaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës organizoi edicionin e radhës të kompeticionit “Young Innovators 2026”, një aktivitet tashmë i konsoliduar në traditën akademike të fakultetit, i cili zhvillohet në kuadër të përmbylljes së lëndës së Inovacionit dhe synon promovimin e mendimit kreativ, inovacionit dhe sipërmarrjes ndër studentë.
Në këtë iniciativë u përfshinë mbi 443 studentë të vitit të tretë Bachelor në programet e studimit Administrim Biznesi dhe Informatikë Ekonomike. Gjatë semestrit, studentët, nën udhëheqjen dhe mentorimin e pedagogëve të lëndës, zhvilluan dhe prezantuan 143 ide inovative, të orientuara drejt adresimit të sfidave ekonomike, sociale dhe mjedisore. Pas një procesi të strukturuar vlerësimi, 13 prej këtyre projekteve u përzgjodhën për t’u prezantuar në fazën finale të kompeticionit.
Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti, dhe mblodhi mbi 300 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, sektorit privat, komunitetit akademik dhe studentëve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës, duke theksuar se inovacioni, kreativiteti dhe sipërmarrja përbëjnë kompetenca thelbësore për zhvillimin profesional të studentëve dhe për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai inkurajoi studentët që të vijojnë zhvillimin e ideve të tyre përtej auditorëve universitarë dhe t’i shndërrojnë ato në iniciativa konkrete me potencial tregu.
Një kontribut të rëndësishëm në aktivitet dhanë edhe përfaqësuesit e ekosistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes. Z. Marcel Thomkins, Drejtues i Angazhimit në Sektorin Privat pranë GIZ Albania, vlerësoi cilësinë dhe potencialin e projekteve të prezantuara, duke evidentuar rolin që të rinjtë mund të luajnë në zhvillimin e startup-eve dhe në ndërtimin e një ekonomie më konkurruese, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, Z. Klajdi Shyti, Menaxher Programi në Plug and Play Tech Center, prezantoi mundësitë që ofron ekosistemi ndërkombëtar i inovacionit për startup-et e reja dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur më tej studentët në procesin e zhvillimit të ideve të tyre.
Aktiviteti u hap nga Dr. Nertila Busho dhe u moderua nga Msc. Ada Bici dhe Dr. Megi Çali, të cilat vlerësuan përkushtimin e studentëve, mbështetjen e partnerëve institucionalë dhe angazhimin e komunitetit akademik në realizimin e këtij kompeticioni.
Projektet finaliste u prezantuan përpara një jurie profesionale të kryesuar nga Prof. Dr. Etleva Leskaj, Përgjegjëse e Departamentit të Manaxhimit. Juria përbëhej nga përfaqësues të institucioneve dhe kompanive të njohura si: Z. Andi Gjokutaj, Menaxher i Inovacionit dhe Zhvillimit të Produktit pranë GIZ Albania; Znj. Brikena Hysi , Drejtoreshë e Financës në ONE Albania; Dr. Besnik Avdiaj, Profesor në Universitetin e Prishtinës; Z. Marin Pahija, CEO i Brotech Brands; Znj. Nertila Domi, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në Neptun Albania dhe Z. Shkelzen Marku, Ekspert i Sipërmarrjes, Inovacionit dhe Biznesit Social, të cilët sollën ekspertizë të specializuar në fushat e inovacionit, sipërmarrjes, menaxhimit dhe zhvillimit të biznesit. Përveç vlerësimit të projekteve, anëtarët e jurisë ofruan komente dhe rekomandime profesionale për përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ideve të prezantuara.
Në përfundim të aktivitetit, pas ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave për grupet finaliste dhe studentët vullnetarë, u shpallën projektet fituese. Çmimet kryesore iu akorduan ideve “Fit Pod”, “Signify” dhe “SILHOUETTE”, të cilat u vlerësuan për nivelin e inovacionit, potencialin e zhvillimit dhe impaktin e tyre të mundshëm. Gjithashtu, çmimi special “Pjesëmarrja në Festivalin e Inovacionit në Gjermani”, i ofruar nga GIZ Albania, iu dha nga përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit projektit “Nova”, duke krijuar një mundësi të rëndësishme ndërkombëtare për ekipin fitues.
Realizimi i suksesshëm i “Young Innovators 2026” u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Fakultetit të Ekonomisë, organizatave partnere dhe komunitetit të biznesit. Mbështetja e institucioneve dhe kompanive partnere konfirmon rëndësinë e krijimit të urave bashkëpunuese ndërmjet universiteteve dhe aktorëve të ekosistemit të inovacionit, me synimin për të fuqizuar potencialin krijues dhe sipërmarrës të të rinjve shqiptarë. Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Ekonomisë vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e një kulture inovacioni dhe në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm të aftë për të adresuar sfidat e ekonomisë moderne.