Workshop-i me temë “Teknologjia Digjitale dhe Etika në Fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, i zhvilluar më 10 qershor 2025 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, u organizua në kuadër të projektit Jean Monnet, DARE-EU të financuar nga Bashkimi Evropian. Ky aktivitet u përshëndet nga Dekani i FEUT, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti dhe mblodhi akademikë, studentë dhe profesionistë nga fusha e kontabilitetit dhe auditimit, duke u fokusuar në sfidat dhe mundësitë që sjell digjitalizimi në këto profesione, si dhe në rëndësinë e ruajtjes së standardeve etike në një mjedis gjithnjë e më të automatizuar. 

Ne të u prezantuan rezultatet e projektit DARE-EU dhe modulit të ndërtuar mbi teknologjinë, rregulloret e BE-së si GDPR dhe Akti për Inteligjencën Artificiale, si dhe grafiku “Core Skills 2030” për aftësitë kyçe të profesionistëve të së ardhmes. Gjatë workshop-it u trajtuan tema të rëndësishme si sfidat e digjitalizimit në Shqipëri, raportimi financiar përmes XBRL, përdorimi i Big Data për identifikimin e mashtrimeve financiare dhe nevoja për transformimin e kurrikulave akademike. 

Në panelin e diskutimeve morën pjesë përfaqësues nga institucione dhe kompani të rëndësishme si: Bordi i Mbikëqyrjes Publike, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Forvis Mazars, Ernst & Young, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Shoqata Kombëtare e Financierëve të Shqipërisë, Grant Thornton dhe Kreston Albania. Këta aktorë sollën perspektiva mbi përfshirjen e teknologjisë në auditim, zhvillimin e vazhdueshëm profesional, përdorimin e softuerëve në edukim dhe sfidat që lidhen me etikën në një realitet të ri digjital. 

Workshop-i u mbyll me angazhimin për bashkëpunim të mëtejshëm për të përshtatur arsimin dhe profesionin me kërkesat e tregut në epokën e transformimeve teknologjike.

Klikoni për më tepër:

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.