Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i vlerave evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri”, të thirrjes Jean Monnet, u zhvillua shkolla e tretë verore “Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së”. Aktiviteti u organizua më datat 12-14 Maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, duke mbledhur një pjesëmarrje të gjerë studentësh dhe pedagogësh nga ky institucion.

Shkolla verore u zhvillua përgjatë tre ditëve, ku studentët patën mundësi të njiheshin me konceptet kryesore të integrimit evropian, integrimit ekonomik dhe shtyllat mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Ekspertë të fushës trajtuan tema të rëndësishme mbi këtë proces.

Në ditën e parë, eksperti Z.Gentian Elezi prezantoi temën mbi procesin e anëtarësimit në BE, duke shpjeguar hapat që ndjek një vend kandidat për të përmbushur standardet politike, ekonomike, juridike dhe institucionale të Bashkimit Evropian. Ai sqaroi fazat kryesore të këtij procesi, nga aplikimi për anëtarësim, marrja e statusit të kandidatit, procesi i screening-ut, hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave, deri në përfundimin e tyre, ratifikimin dhe anëtarësimin e plotë në BE. Gjithashtu, studentët u njohën me zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në këtë proces dhe sfidat që vendi përballet në përmbushjen e kapitujve të Acquis Communautaire.

Në ditën e dytë, lektor i ftuar ishte eksperti Z.Gledis Gjipali, i cili trajtoi metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, duke u fokusuar veçanërisht tek Grupkapitulli II “Tregu i Brendshëm”. Ai theksoi rëndësinë e rregullave dhe standardeve që garantojnë funksionimin e lirë të tregut të përbashkët evropian, duke përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, si dhe politikat e konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Eksperti prezantoi situatën e Shqipërisë në këtë drejtim, bazuar në raportet e progresit ndër vite, dhe theksoi rëndësinë e përafrimit të legjislacionit kombëtar me këtë grupkapitull për rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe për përgatitjen për funksionim të plotë brenda tregut të përbashkët të BE-së pas anëtarësimit.

Për të thelluar më tej njohuritë mbi mbrojtjen e konsumatorit, lektore e ftuar ishte edhe ekspertja Znj.Ersida Teliti. Ajo solli rëndësinë e kësaj fushe si një komponent i domosdoshëm i politikave të Bashkimit Evropian, që synon të garantojë sigurinë, informimin dhe të drejtat e konsumatorëve brenda tregut të përbashkët. Lektorja prezantoi kuadrin ligjor të BE-së që mbulon sigurinë e produkteve, informimin e drejtë, mbrojtjen nga praktikat e padrejta tregtare dhe aksesin në mekanizma efektivë ankimimi, duke sjellë shembuj konkretë për secilën prej tyre. Studentët u njohën edhe me situatën në Shqipëri, progresin që ka shënuar vendi përmes miratimit të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit dhe ngritjen e institucioneve përkatëse, por edhe sfidat që vijojnë të ekzistojnë për zbatimin efektiv të ligjeve dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës dhe ankimor.

Dita e tretë e shkollës verore u përqendrua në prezantimin e projekteve të përgatitura nga grupet e studentëve pjesëmarrës, mbi tema aktuale si ndikimi i inteligjencës artificiale në tregun e punës, tregtia ndërkombëtare dhe globalizimi, si dhe psikologjia e konsumit të tepruar.

Shkolla verore u përmbyll me ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave për pjesëmarrësit, si dhe prezantimin e nismës së  “Klubi Rinor për Integrimin Evropian”, një hapësirë e dedikuar për të rinjtë që dëshirojnë të angazhohen në çështjet e integrimit evropian dhe të ndërveprojnë mbi tematika të rëndësishme për të ardhmen e vendit në procesin e anëtarësimit në BE.

Ky aktivitet u vlerësua pozitivisht nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët e konsideruan një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e njohurive të tyre në fushën e integrimit evropian. Ata shprehën dëshirën për të qenë pjesë jo vetëm e Klubit Rinor për Integrimin Evropian, por edhe e aktiviteteve të tjera të ngjashme.

Foto nga Aktiviteti

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.