1_3.jpeg

Më datë 13 Maj Departamenti i Manaxhimit, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës zhvilloi kompeticionin “Young Innovators 2025”, në kuadër të përmbylljes së lëndës së Inovacionit.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zv. Dekania e Fakultetit të Ekonomisë Prof. Asoc. Dr. Fatma Jaupi, Përgjegjësja e Departamentit të Manaxhimit, Prof.Asoc. Etleva Leskaj, Drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës Znj. Enkelejda Imeraj, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, studentë si dhe përfaqësues nga bizneset dhe institucione të tjera.

Për zhvillimin e këtij aktiviteti u angazhuan rreth 400 studentë të vitit të tretë Bachelor në Degët e Administrim Biznesit dhe Informatikës Ekonomike, të cilët në mentorimin e pedagogëve të lëndës prezantuan 133 ide, 13 prej të cilave u përzgjodhën për t’u prezantuar në këtë kompeticion. Ky aktivitet ka një traditë disavjecare në FEUT.

Aktiviteti u përshëndet nga Zv. Dekania e Fakultetit të Ekonomisë Prof. Asoc. Dr. Fatma Jaupi, e cila theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla studentore, si një mënyrë për të zhvilluar aftësi të rëndësishme të studentëve të cilat janë të domosdoshme për tregun dinamik të punës.

Znj. Enkelejda Imeraj, Drejtoreshë e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës përgëzoi studentët për potencialin e ideve të tyre inovative dhe i inkurajoi ata për të vijuar më tej përpjekjet për vënien në jetë të projekteve.

Në përmbyllje të aktivitetit, u shpërndanë çertifikatat për të gjithë studentët e grupeve finaliste, si dhe juria shpalli tre grupe fituese e dy çmime speciale të cilat u mbështetën nga bashkëpunëtorë e partnerë të FEUT si: OTP Bank; Banka Kombëtare Tregtare, Neptun Albania pjesë e Balfin Group; FM Reklama, Orion Construction, Lufra, Laguna dhe Eida.

Foto nga Aktiviteti

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.