Dita_karrieres_2025_8_Maj.jpg

Një urë e fortë mes studentëve dhe tregut të punës

 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës organizoi sot, më 8 maj 2025, aktivitetin e përvitshëm Dita e Karrierës, një traditë që prej rreth 12 vitesh ka shërbyer si një pikëtakim i rëndësishëm mes studentëve dhe tregut të punës. Me moton “Hidh hapin tënd!”, kjo ditë synon të frymëzojë dhe të motivojë të rinjtë për të ndërmarrë hapat e parë drejt një karriere të suksesshme.

 Aktivitetin e hapi dhe përshëndeti Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Asoc. Bernard Dosti, duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi mes akademisë dhe tregut të punës në formimin profesional të studentëve. Të pranishmëve iu drejtua gjithashtu përfaqësuesja e kompanisë Ernst & Young, si dhe alumnia e FEUT dhe sipërmarrësja Klevisa Kapo, të cilat ndanë përvoja frymëzuese dhe inkurajuan studentët të shfrytëzojnë çdo mundësi që iu ofrohet.

 Në këtë edicion morën pjesë 57 kompani nga sektorë të ndryshëm, të ndara si më poshtë:

  • Sistemi Bankar dhe Sigurime – 12 kompani
  • Konsulencë dhe Auditim – 10 kompani
  • IT dhe Telekomunikacion – 15 kompani
  • Prodhim, Shërbime dhe Marketing – 20 kompani

 Këto kompani sollën oferta të drejtpërdrejta për punësim dhe praktika profesionale, duke i dhënë studentëve një mundësi të çmuar për të krijuar kontakte, për të marrë informacion të detajuar mbi profilin e tregut dhe për të prezantuar aftësitë e tyre.

 Dita e Karrierës në FEUT është më shumë se një panair pune – është një mundësi për rritje, eksplorim dhe vendimmarrje. I inkurajojmë të gjithë studentët të shfrytëzojnë këtë platformë për të ndërtuar rrugën e tyre drejt suksesit profesional. Koha është tani – hidh hapin tënd!

Foto nga aktiviteti

Klikoni për më tepër

Copyright © 2025 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.