Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, hapi dyert për maturantët e gjimnazeve në kuadër të aktiviteteve të “Open Days”, një nismë e përvitshme që synon të informojë dhe orientojë nxënësit drejt zgjedhjes së duhur për të ardhmen e tyre akademike.
Gjatë ditës, maturantët patën mundësinë të njihen nga afër me programet e studimit që ofron Fakulteti i Ekonomisë, të vizitojnë ambientet e fakultetit, auditorët dhe laboratorët, si dhe të takohen me pedagogë, studentë dhe përfaqësues të strukturave mbështetëse të fakultetit.
Aktiviteti u shoqërua me prezantime nga të gjitha departamentet, sesione interaktive pyetje-përgjigje. Kjo ditë shërbeu si një urë lidhëse mes arsimit parauniversitar dhe atij të lartë, duke ofruar një eksperiencë të vlefshme për maturantët që janë në prag të një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës së tyre.