Më 15 dhjetor 2020, ekipi i projektit LeTSGEPs (Leading Towards Gender Equality Plans in Research Institutions) në Universitetin e Tiranës organizoi takimin e parë prezantues të projektit për palët e interesuara të brendshme të Institucionit. Ky projekt eshte i financuar nga Bashkimi Europian ne kuadrin e thirrjeve SWaFS të Horizon 2020. Universiteti i Tiranës është partneri i vetëm që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt, synimi i të cilit është prezantimi dhe implementimi i Planeve dhe Buxheteve të Barazisë Gjinore në Universitet.

Komisioni Europian është shprehur se me kuadrin e ardhshëm të projekteve Horizon Europe, një Plan i Barazisë Gjinorë do të përbëjë kriter të domosdoshëm që institucionet kërkimore dhe akademike të përftojnë fonde nga Bashkimi Europian. Implementimi i një Plani të Barazisë Gjinore e ndihmon Universitetin e Tiranës të përmbushë kriteret e përfitmit të financimit për projekte ndërkombëtare në të ardhmen.

Prezantimi u zhvillua në internet në platformën Zoom dhe pati rreth tridhjetë pjesëmarrës nga komuniteti akademik dhe stafi administrativ i Universitetit të Tiranës. Objektivi i këtij seminari të parë në internet të Projektit LeTSGEPs ishte prezantimi i qëllimeve, aktiviteteve dhe perspektivave të këtij projekti për aktorët e brendshëm të Universitetit të Tiranës, të tilla si drejtues të nivelit të lartë, stafi akademik, studentët e kërkimit dhe doktoraturës, si dhe pjesëtarë të stafit administrativ të Universitetit.

Zëvendës Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Asoc.Dr. Bernard Dosti hapi këtë takim duke theksuar rëndësinë e projekteve në fushën e barazisë gjinore që e bëjnë Universitetin e Tiranës të spikasë midis universiteteve të tjera në Shqipëri si i pari që përpiqet të implementojë një Plan të Barazisë Gjinore. Prof. Dosti përforcoi edhe një herë mbështetjen për projektin nga nivelet e larta drejtuese të Universitetit të Tiranës.

Më pas, foli në takim zëvendës dekani i Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Fatmir Memaj, i cili theksoi punën e shkëlqyeshme që gratë kanë kryer gjithmonë në projektet e mëparshme në Universitetin e Tiranës, si edhe nevojën për bashkëpunim mes depatamenteve dhe fakulteteve të ndryshme të Universitetit.

Koordinatori lokal i Projektit LeTSGEPs për Universitetin e Tiranës, Prof.Dr. Ingrid Shuli prezantoi më shumë detaje në lidhje me projektin, kontekstin aktual të barazisë gjinore në Shqipëri, dhe veçanërisht në sistemin arsimor dhe Universitetin e Tiranës. Prof. Shuli shpjegoi hapat që LeTSGEP ka ndërmarrë deri më tani dhe gjithashtu përmendi disa nga sfidat e hasura në të shkuarën dhe ato të pritura për të ardhmen, duke kërkuar bashkëpunimin nga të gjithë aktorët e përfshirë të interesuar.

Prof.Asoc.Dr. Etleva Leskaj dhe Prof.Asoc.Dr. Merita Xhumari, dy anëtare të tjera të ekipit LeTSGEPs, e fokusuan prezantimin e tyre në rolin e aktorëve të ndryshëm në zbatimin e GEP-ve efektive në Universitete dhe Institucione Kërkimore dhe rëndësinë e trajnimit për ndërtimin e kapaciteteve dhe transferimin e njohurive.

Në fund të takimit pati një seancë me diskutime midis pjesëmarrësve gjatë së cilës profesorë të Fakultetit të Shkencave Sociale të UT shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në trajnimet e ardhshme të organizuara në kuadër të projektit dhe gjithashtu në detyra të caktuara që mund të kryhen në paketat e ardhshme të punës, veçanërisht në lidhje me mbledhjen dhe përpunimin e informacionit statistikor dhe gjithashtu zgjerimin e temave të barazisë gjinore në mësimdhënie dhe kurrikulat kërkimore në departamente specifike të Universitetit të Tiranës. Megjithëse ngjarja zgjati më shumë sesa ishte planifikuar, pjesëmarrësit vazhduan të diskutojnë, gjë që tregon interesin e madh të marrë për projektin.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.