Në ambientet e Godinës Liria, Universiteti i Tiranës, u organizua aktiviteti përmbyllës i projektit ConnectIT 2.0, mundësuar nga GIZ Albania nëpërmjet programit ProSEED, në bashkëpunim me Universitetin Polis, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Durrësit, AlbaniaTech dhe Preneurz.Amsterdam. Ky projekt mundësoi ekipet studentore të bashkëpunojnë me sipërmarrësit, duke qenë një nga programet e pakta, ndoshta i vetmi, që implementon qasjen Triple-helix në ekosistemin lokal.

Finalizimi i projektit ConnectIT2.0 vjen pas një serie me aktivitete, workshop-e dhe trajnime të organizuara gjatë periudhës Tetor 2022 – Shkurt 2023. Nga Fakulteti i Ekonomisë u aktivizuan 21 ekipe me rreth 85 studentë, që nën udhëheqjen e pedagogëve dhe ekipit drejtues të projektit Connect IT, bashkëpunuan me sipërmarrje / NMVM në fusha të ndryshme.

Në ceremoninë përmbyllëse 10 ekipe studentësh u përzgjodhën për të prezantuar zgjidhjet dixhitale që varionin nga sisteme dhe faqe web, optimizim dhe re-brand i faqeve ekzistuese, e-commerce, marketing dixhital, etj në një aktivitet ku edhe vetë sipërmarrësit shprehën vlerësim për frymën e bashkëpunimit, por edhe nivelin e lartë të njohurive dixhitale e inovatore që studentët ofruan. 

Të pranishëm në aktivitet ishin ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve partnere të projektit nga Polis University, UAMD, Eu4Innovation, ProSEED, Ministria e Financave, GIZ, bizneset dhe media, nën koordinimin e anëtarëve të departamentit “Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar”. 

Fakulteti i Ekonomisë uron të gjithë studentët dhe stafin për punët dhe përfaqësimin e tyre, partnerët e projektit dhe drejtuesit, si dhe shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe në të ardhmen. Në vijim janë disa foto nga aktiviteti final i projektit ConnectIT 2.0. 

Foto nga aktiviteti përmbyllës i projektit ConnectIT 2.0

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.