Departamenti i Ekonomiksit i FEUT, në përputhje me Ligjin 80/2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” në kuadër të projekteve konkurruese e të shpallura fituese dhe të miratuara nga Dekani i FEUT për punën kërkimore të financuar nga FEUT, në datën 12 Dhjetor 2022, zhvilloi Tryezën e Rrumbullakët me temë “Impulset reaguese të politikave ekonomike ndaj goditjeve negative në ekuilibrat ekonomikë: Rasti i Shqipërisë“.

Në Tryezën e Rrumbullakët morën pjesë të gjithë anëtarët e Departamentit të Ekonomiksit dhe studentë të shkollës të doktoraturës në Ekonomiks. Tryeza e Rrumbullakët u zhvillua rreth prezantimeve të paraqitura prej tre pedagogëve të Departamentit dhe një studenteje të shkollës së doktoraturës  të cilët shërbyen si nxitës të debatit. Prezantimet  u fokusuan: (i)në politikën e ndjekur të taksave; (ii) në mënyrën e menaxhimit të  shpenzimeve publike; (iii) në dinamikën e kredive të këqija në sistemin bankar shqiptar dhe (iv) në reagimin e tregut shqiptar të punës: ndaj  goditjeve negative të tërmetit 2019, pandemisë së Covid 19 dhe agresionit rus në Ukrainë.

Pas prezantimeve, diskutimet e bëra në frymën e një debati konstruktiv evidentuan disa konkluzione dhe rekomandime në lidhje me situatën aktuale dhe pritshmëritë për të ardhmen duke sjellë një kontribut të shtuar në fushën e zhvillimit të politikave makroekonomike.

Në lidhje me politikën fiskale u theksua se planifikimi buxhetor vijon të mbetet një sfidë për politikëbërësit. Në Shqipëri shpenzimet publike karakterizohen nga menaxhimi i centralizuar i financave publike dhe mënyra e alokimit të shpenzimeve buxhetore është problematike. Financimi i vazhdueshëm i sektorit energjitik, deficiti në skemën e pensioneve si dhe financimi i qeverise lokale janë tre hendeqet kryesore ku duhen aplikuar mënyra të  reja veprimi. 

Një rrugë e mundshme për administrimin e shpenzimeve publike në përgjigje të goditjeve negative në ekonomi, për të  përmirësuar  efiçencën e përdorimit të parave publike, do të ishte forcimi i decentralizimit fiskal. Gjithashtu u theksua se rritja e eficencës, së taksave është domosdoshmëri për rritjen e të ardhurave tatimore, pa rritur normën e taksave. Në këto kushte u rekomandua që si pasojë e globalizimit, struktura e taksave të një vendi, duhet të konsiderojë atë të vendeve të tjera për të rritur konkurueshmërinë midis vendeve.

Në lidhje me sistemin bankar u theksua se goditjet negative në Shqipëri por edhe në kuadrin e ekonomisë globale kanë implikuar mbizotërimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes bankare. BSH ashtu si edhe Bankat Qendrore të shumë vendeve, kanë  përfshirë në performancën  e tyre  edhe objektivin e stabilitetit financiar krahas stabilitetit monetar.

Në kushtet e goditjeve negative, sektorit bankar në Shqipëri i është dashur të mbështesë ekonominë me financim dhe shërbime të tjera bankare dhe pavarësisht kësaj testimet e realizuara në fundin e vitit 2020 dhe gjatë periudhës 2021-2022, provojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar ndaj goditjeve të mundshme makroekonomike dhe goditjeve të likuiditetit.

Në lidhje me bashkëveprimin politikë monetare - politikë fiskale është konstatuar në veprim, bashkëjetesa e një politike monetare shtrënguese dhe një politike fiskale zgjeruese. U rekomandua që makropolitikat nuk munden më të qëndrojnë të veçanta në dizenjim dhe zbatim, apo të ndara nga njëra-tjetra në ndikimin që kanë në ekonomi. Për të gjetur balancën optimale midis stimujve fiskalë dhe atyre monetarë u rekomandua që të dy politikat të bashkojnë forcat duke vepruar si politika “bashkëplotësuese”. Sot në Shqipëri aplikohet targeti monetar, sugjerohet target i borxhit publik deri në 60% të GDP, por gjithashtu duhet të aplikohet edhe targeti fiskal që ka lidhje me mbajtjen e deficitit nën 3% të GDP-së.

Në lidhje me tregun e punës u theksua se Shqipëria operon në kushtet e produktivitetit të ulët dhe rritja ekonomike do duhet të shoqërohet me rritje të punësimit. Si informaliteti ashtu edhe emigrimi janë pasoja të problemit thelbësor që punësimi nuk është në terma rritës.

Emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re, por krahas saj kohët e fundit është vënë re edhe dukuria e ardhjes së të huajve në Shqipëri, kryesisht nga Maroku, Pakistani, Afghanistan, Siri, Irak, etj por edhe nga India apo Kina për punësim. U rekomandua që ka ardhur koha që Shqipëria duhet të mendojë për një strategji për integrimin e këtij grupi njerëzish sepse përndryshe kjo do të ishte një kosto e madhe për shtetin dhe shoqërinë, ndërkohë që formalizimi apo dhe përfshirja e tyre në sistem do të sillte përfitime të mëdha.

Mirë u takofshim në tryeza të tjera debati!

Foto gjatë zhvillimit të aktivitetit të Departamentit të Ekonomiksit, FEUT

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.