Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në FEUT, në përputhje me Ligjin 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në kuadër të projekteve konkurruese e të shpallura fituese dhe të miratuara nga Dekani i FEUT për punën kërkimore të financuar nga FEUT, në periudhën Tetor - Nëntor 2022, ka organizuar një seri me 6 workshop-e me temë qendrore "Të dhënat në kuadër të ndryshimeve globale: sfida dhe perspektiva". Në këto takime, fokusi ka qenë jo vetëm në punët e deritanishme të doktorantëve të departamentit, por edhe këndvështrimet dhe interesat kërkimore të të gjithë anëtarëve në lidhje me sfidat që po kalon sot shoqëria dhe se si shkenca e të dhënave ndikon në zgjidhjen e tyre. Temat dhe diskutimet kryesore për secilin workshop, paraqiten në vijim:

W1: Diskutimi u përqëndrua mbi këto tema kryesore shkencore: "Vendimmarrje bazuar në të dhëna: rasti i krizave globale", si dhe “Ndikimi i teknologjisë në rritjen e punësueshmërisë në Shqipëri”. Ndër çështjet kryesore të trajtuara mund të përmendim rëndësinë e të dhënave në vendimmarrje, kurset afatshkurtra në nivel ekzekutivi si alternativë e universitetit për promovimin e vendimmarrjes, zhvillimi i aftësive në këtë fushë, revolucioni i katërt industrial dhe ndikimet te punëdhënësit dhe punëkërkuesit, si edhe masat e parashikuara në strategjinë kombëtare të punësimit dhe aftësive.

W2: Në këtë takim u diskutuan punët kërkimore në disa plane: mbi text mining dhe sentiment analysis në programin R, teknologjitë multimediale dhe dizenjimi i eksperiencës së përdoruesve, një kornizë teknike për adresimin e vështirësive të zinxhirit të furnizimit, parashikime me anë të metodave të serive hibride, sasiore dhe inteligjente; si dhe çështje të kurrikulave të sigurisë së informacionit bazuar në direktivat e BE, aplikime të metodave sasiore për vlerësimin e sigurisë së informacionit, parashikimet e difekteve softuerike me anë të Machine Learning, dhe një teknikë për gjenerimin e të dhënave sintetike për mbrojtjen e privatësisë.

W3: Ky workshop përfshiu disa tema aktuale të sigurisë kibernetike dhe pjesë nga punimet e disa doktorantëve, me fushat përkatëse dhe drejtimet e ardhshme të punëve. Ndër të tjera u diskutua për një sistem të orientuar drejt të dhënave të bazuar në blockchain, aplikimin e procedurave për bllokimin, filtrimin dhe heqjen e përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme si një mjet për internet më të sigurt, si edhe për projektimin e ndërveprimit (interaction design) lidhur me E-Government dhe të tjera shërbime publike, që zbatojnë produkte digjitale ose sisteme informacioni.

W4: Në takimin e zhvilluar u diskutuan tematika të kohës në lidhje me sfidat e sigurisë për big data, teknologjinë blockchain dhe aplikimin e mundshëm të saj në zinxhirët e furnizimit, përmirësimin e një zgjidhjeje të propozuar bazuar në blockchain për menaxhimin e ciklit të jetës së automjeteve dhe nxitjen e iniciativave të reja në industrinë e sigurimeve dhe automjeteve, si edhe qasjet dhe arkitekturat e ndryshme në fushën e inteligjencës artificiale dhe analizës e përpunimit të imazheve.

W5: Në këtë takim u diskutua mbi përdorimin e teknologjisë në mësimdhënien e matematikës për të nxitur interesin dhe rritjen e mësimnxënies nga studentët, ku ndër tematikat e prezantuara mund të përmenden: “Ndikimi i teknologjisë së informacionit në mësimdhënien e matematikës”, “Teoria e grafeve në perspektivën e shkencave kompjuterike”, “Zhvillimi dhe modernizimi i disiplinave matematikore nën ndikimin e informatikës”, si edhe “Mësimi aktiv duke përdorur software-ët matematikor: analiza e programit R në teorinë e probabilitetit dhe ekonometri”.

W6: Në këtë workshop u prezantuan temat mbi trendin e migrimit në Shqipëri, cilat janë grupmoshat që migrojnë më shumë, arsyet e migrimit dhe si ndikon migrimi në forcat e punës. Prezantimet vazhduan me diskutime dhe sygjerime në kuadër të përmirësimit të disbalancave që krijon migrimi në aspektin demografik dhe në tregun e punës.

Në përfundim të këtyre aktiviteteve, u pohua rishtazi rëndësia e diskutimeve të përbashkëta shkencore, që pasurojnë jetën akademike në department, apo forcojnë bashkëpunimin mes anëtarëve. Ato janë dhe një mënyrë shumë e mirë për të shkëmbyer ide, bashkëndarë sfida dhe rrugë zgjidhjeje, si dhe avancuar më tej cilësinë e mësimdhënies dhe kurrikulave të programeve të studimit të departamentit “Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar”.

Foto gjatë zhvillimit të Workshop-it të Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.