Qendra studentore ABC Tirana Club në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe me mbështetjen e programit B4Students zhvilluan ditën e Hënë, 21 Nëntor 2022, ora 10:00, Forumin e Diskutimit “Përdorimi i parasë virtuale, a jemi gati!?”

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Edicionit të Pestë të programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, të cilin ABC Tirana Club e realizon prej vitit 2019.

Të ftuar ishin studentë dhe pedagogë, ekspertë, përfaqësues të OJF-ve, medias etj.

Paraja virtuale nuk është më “e nesërmja”, u tha gjatë Forumit. Ajo është “e sotmja” në zhvillimet ekonomike dhe financiare në rang global dhe atë kombëtar. Është një pjesë dinamike që ndikon në tregjet finaciare. Përfaqësues të qeverive, të sistemit bankar, ekspertë dhe studiues të ndryshëm e kanë në agjendën e tyre të hulumtimit dhe rregullimit qarkullimin e parasë virtuale. Sot kriptomonedha është pjesë e agjendave të debatit - fuqia reale e saj, roli, ndikimi, efektet në tregjet botërore dhe ato kombëtare etj.

Gjatë Forumit u fol mbi realitetin e kriptomonedhave në Shqipëri, për legalizimin e kësaj pjese të tregut, për legjislacionin e miratuar si dhe sfidat për të ardhmen. Në aktivitet u prezantua dhe një sondazh me 300 të pyetur mbi perceptimet dhe vlerësimet e tyre mbi kriptomonedhat, për gatishmërinë dhe hezitimin e qytetarëve për t’u përfshirë në qarkullimin e parave virtuale.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Dr. Dhori Kule përgëzoi studentët për përfshirjen në një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut, aq më tepër kur fokusohen dhe në tema që kanë ndjeshmëri tek qytetarët. “Rëndësi ka që përmes këtyre aktiviteteve të përçohet besim tek sistemi, pasi çdo keqinformim apo spekullim në përhapjen e informacioneve jep efekte negative tek publiku, ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik dhe financiar. Dukuritë e reja në fushën ekonomike kërkojnë përgjegjësi në menaxhim dhe interpretim, në të kundër stimulohet kaos te njerëzit, te mendimet dhe vendimarrjet e tyre”.

Drejtuesi i ABC Tirana Club, Johan Muka, tha se organizata është prej më shumë se katër vitesh në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë duke konkretizuar programin “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, me synimin “të nxisë interesin e publikut, sidomos të të rinjve, mbi aspekte ekonomike dhe financiare. Të nxisë më shumë institucionet publike, sidomos Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si dhe agjencitë varëse të saj që, edukimi ekonomik dhe financiar të jetë më shumë pjesë e kurrikulave në programet mësimore, që në nivelin e arsimit fillor”.

Nga viti 2019 ABC Tirana Club, ka realizuar disa edicione. Edicioni i Parë ishte “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek”; viti 2019. Edicioni i Dytë mbi “DeCash-izim vs informalitet”, viti 2020. Edicioni i Tretë titullohej “Apliko pagesën elektronike”, viti 2021. Edicioni i Katërt ishte “Kursim apo investim - kur është koha?”, realizuar në maj të vitit 2022.

Aktualisht po zhvillohet Edicioni i Pestë titulluar “Përdorimi i parasë virtuale, a jemi gati!?”, ku veç Forumit të Diskutimit me ekspertët dhe zhvillimit të sondazhit, është planifikuar dhe një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi me publikun.

Klikoni për më tepër: 

Video nga forumi i organizuar nga ABC TIRANA CLUB mbi Kriptomonedhat

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.