Dep SIZ

Përshkrim i përgjithshëm i departamentit
Departamenti Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar (DSIZ) është përgjegjës për mësimdhënien në degën e Informatikës Ekonomike në të gjitha nivelet e studimit. Kjo degë filloi aktivitetin e saj në vitin akademik 2003-2004 dhe në vitin akademik 2006-2007 ka diplomuar brezin e parë të studentëve të saj. Formimi i studentëve të degës së Informatikës Ekonomike ka rezultuar si një nga formimet më të suksesshme për tregun e punës brenda dhe jashtë vendit.
DSIZ është përgjegjëse për mësimdhënien e të gjitha lëndëve që lidhen me Informatikën dhe Statiskën në Fakultetin e Ekonomisë si dhe në disa fakultete të tjera brenda Universitetit të Tiranës, siç është Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, i Shkencave Sociale, etj.
Departamenti është angazhuar në një punë të vazhdueshme dhe intensive për përsosjen e kurrikulave dhe programeve mësimore, në përputhje më standartet më të larta që kërkon edukimi në vend e më tej, si dhe në përputhje me kërkesat e tregut për specialist në fushën e teknologjive të informacionit. Pjesë e këtyre zhvillimeve kurrikulare është ofrimi i disa masterave si pjesë e ciklit të dytë të studimeve si dhe i disa doktoraturave, si pjesë e ciklit të tretë. Kështu, departamenti ofron mastera shkencorë “Sistemet e Informacionit në Ekonomi” dhe “Siguria e Informacionit” (falë mbështetjes së universitetit NTNU, Norvegji) si dhe masterat profesionalë “Sisteme Informacioni në Ekonomi” dhe “Menaxhimi i prçeseve të Biznesit dhe Teknologji Informacioni” (në bashkëpunim me Deloitte Albania dhe Universitetin e Torinos, Itali).
Departamenti SIZ ofron studime të thelluara të ciklit të tretë dhe konkretisht Doktoraturë në “Sisteme Informacioni në Ekonomi” dhe atë në “Statistikë”. Përfitues të këtyre programeve të studimit kanë qënë një numër i konsiderueshëm studentësh të ardhur nga bota akademike, sektori publik dhe ai privat, institucionet e rëndësishme në vend si dhe mjaft përfitues nga Kosova, Serbia, Maqedonia, etj.
Aktualisht, departamenti ka 32 pedagogë me kohë të plotë, konkretisht 6 Profesorë, 9 Profesorë të Asociuar, 6 Doktorë, dhe pjesa tjetër lektorë e pedagogë të cilët janë pjesë e proçesit të kualifikimit shkencor. Ndërkohë, departamenti ka dhe një numër të konsiderueshëm pedagogësh me kohë të pjesshme, mbi 40 te tillë, përfshirë edhe 2 akademikë, të cilët prej shumë vitesh janë pjesë e këtij departamenti, si edhe disa pedagogë të huaj nga universitetet më të njohura të Europës Perëndimore. Një kontribut të veçantë në proçesin e mësimdhënies në Fakultetin e Ekonomisë, dhe sidomos në rritjen e degës së Informatikës Ekonomike, kanë dhënë ndër vite dhe pedagogët e shquar Prof. Dr. Bashkim Ruseti, Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, Akademik Prof. Dr.Neki Frashëri, Agim Çami, etj, si dhe mjaft pedagogë të tjerë me tituj dhe grada shkencore.
Departamenti ka bërë përpjekje të vazhdueshme për rritjen dhe kualifikimin e stafit të vet, nëpërmjet kualifikimeve brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrjes në projekte kërkimore shkencore me partnerë të huaj dhe vendas, si dhe pjesëmarrje në konferenca, workshope, seminare, etj.
Prej vitit 2010, Departamenti SIZ është organizator i një konference ndërkombëtare vjetore, e cila ka mbledhur rreth vetes aktorë të fushës akademike, të sektorit privat dhe atij qeveritar e ku trajtohen sfida, tendenca dhe zgjidhje në lidhje me aplikimet e teknologjive të informacionit dhe inovacionit në fusha të ndryshme të ekonomisë (http://conference.ijsint.org/). Po ashtu, departamenti ka krijuar lidhje të qëndrueshme bashkëpunimi me disa universitete perëndimore, kryesisht nga Suedia, Norvegjia, Austria, Italia, etj. Falë këtyre bashkëpunimeve, një pjesë e stafit është përfshirë në mobilitete të ndryshme, duke u bërë pjesë e proçesit mësimdhënës të këtyre universiteteve të njohura, si dhe ju ka dhënë mundësi një numri të konsiderueshëm studentësh të degës së Informatikës Ekonomike të ndjekin studimet në universitetet partnere. Departamenti SIZ është botues i një reviste ndërkombëtare «Science, Innovation and New Technology (IJSINT)” me ISBN online dhe hard-copy (http://ijsint.org/), e cila tashmë indeksohet në databazën e njohur EBSCO.

Kërkimi në departament
Aktualisht, Departamenti SIZ është përfshirë në disa projekte, pjesë e angazhimit kërkimor shkencor të tij.

Erasmus+ _KA107 HE International mobility.
Projekti “International Mobility”, nën kategorinë Erasmus+ KA107, realizon shkëmbimin e stafeve akademike dhe studentëve ndërmjet Universitetit NTNU (Norwegian University of Science and Technology) në Norvegji dhe Departamentit të Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar (DSIZ). Drejtues të këtij projekti janë pala norvegjeze, si të vetmit me të drejtë aplikimi. Projekti ka një kohëzgjatje dy vjeçare 2015-2017. Në nivelin bachelor 6 nga studentët e degës “Informatikë Ekonomike” do të kalojnë një periudhë 10 mujore tek partnerët norvegjezë (1 vit akademik). Në nivelin master, 2 studentë nga NTNU do të vijnë për të kaluar një periudhë 5 mujore pranë DSIZ, ndërsa për nivelin doctoral, një nga studentët tanë do të mund të kalojë një periudhë 3 mujore në Norvegji. Lidhur me lëvizjen e stafeve, 3 pedagogë nga DSIZ do të mund të japin dy javë mësim në NTNU dhe anasjelltas, si dhe mundësia e trajnimit të 2 pedagogëve ose stafit administrativ të departamentit tek NTNU.

Erasmus+ _KA107 HE International mobility.
Ky projekt është vazhdim i projektit nr.1, me anë të të cilit janë siguruar fonde për periudhën 2016-2017, në mënyrë që shkëmbimi i stafit dhe studentëve ndërmjet NTNU dhe UT të vazhdojë.

“Mathematical Modelling and Simulation in Business Informatics” (Modelim Matematikor dhe Simulim në Informatikën e Biznesit).
Miratuar për financim nga Bordi Drejtues i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit me Vendim Datë. 8 Prill 2015. Projekti ka si qëllim të realizojë shkëmbimin e njohurive në fushat e modelimeve dhe simulimeve matematikore dhe zbatimin e tyre në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Grupi austriak do të japë kontribut në shtimin e njohurive mbi modelimin dhe simulimin në fusha të ndryshme të kërkimit. Nga ana tjetër grupi shqiptar do të ofrojë eksperiencën dhe njohuritë në fushën e informatikës së biznesit, sistemeve të informacionit dhe proceseve të biznesit. Së bashku, koncepti i modelimit dhe simulimit do të adaptohen në mënyrë që të krijohen modele sipas kërkesave të degës së Informatikës Ekonomike. Krijimi i këtyre modeleve është detyrë e grupit shqiptar, kurse realizimi i sistemit të njohurive përsa i përket modelimit dhe simulimit është detyrë e grupit austriak. Një tjetër qëllim është krijimi i kontributeve shkencore të përbashkëta si në konferenca dhe në revista shkencore mbi aplikimin e metodave të modelimit dhe simulimit në fushën e informatikës ekonomike dhe në proçeset e biznesit. Jo vetëm konsiderata teorike janë të rëndësishme, por edhe krijimi i shembujve të aplikimit të tyre në praktikë kanë rëndësinë e vet. Pjesë e projektit janë edhe realizimi i disa workshopeve në Vjenë dhe Tiranë, si dhe publikimi i rezultateve të këtij bashkëpunimi. Falë këtij projekti, pedagoget e TUW (Austri) vazhdojnë të japin kurse të plota në anglisht të lëndëve me studentët e masterit të DSIZ që lidhen me njohuritë e modelimeve dhe simulimeve në informatikën e biznesit.

Development of higher education and society by creating a collaborative environment in the field of arts and media through regional student partnership in production of audio/video content StudAVP (Student Audio VideoProduction). Nr. Ref: 544108-TEMPUS-1-2013-1-RS-TEMPUS-JPHES.
Ky projekt ka për qëllim kryesor përfshirjen e studentëve të rajonit në krijimet Audio/Video. Projekti do të implementohet gjatë periudhës 2013-2016. Gjatë jetës së projektit janë zhvilluar konkurse të ndryshme për studentë të rajonit dhe studentët e degës Informatike të FE kanë fituar prodhimin e katër filmave prej një totali 20. Fokusi i projektit është krijimi i një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi midis studentëve të vendeve pjesëmarrëse dhe forcimi i ndikimit të studentëve në shoqëri nëpërmjet partneritetit; bashkëpunimi me institucionet jo-akademike të medias; përmirësimi i kurrikulave dhe bashkëpunimit midis studentëve nëpërmjet bashkëprodhimit të përmbajtjeve audio/video.

Modeling, Simulation and Computer-aided Design in Enginering and Management Nr. Ref: CIII-BG-1103-01-1617.
Rrjeti CEEPUS synon shkëmbimin e dijeve në fushën e modelimit dhe simulimit ndërmjet gjithë partnerëve të rrjetit, si dhe zhvilimin e aplikimeve në fushën e ekonomisë. Projekti mbledh bashkë partnerët e disiplinave të ndryshme dhe studentët të cilët do të behen pjesë e këtij rrjeti, do të mund të përfitojnë dhe nga edukimi multi-disiplinar. Partnerë të projektit janë institucionet e arsimit të lartë nga Shqipëria, Austria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Sllovenia dhe Kosova.

Strengthening the role of Eastern European Manufacturing Sites in Manufacturing Networks: The influence of Absorptive Capacities SCOPES SNF Project IZ73Z0_152505 (Joint research projects).
Projekti do të implementohet në periudhën 2014-2017. Projekti është kërkimor-shkencor dhe lidhet me aftësimin e kompanive, nëpërmjet menaxhimit të njohurive dhe transferimit të tyre brenda një rrjeti prodhimi, në menaxhimin e kapaciteteve përthithëse nga njohuritë e marra, duke përmirësuar ndërveprimin midis kompanive në vendet e BE dhe degëve të tyre në vendet jo të BE, çka do të sjellë dhe rritje të prodhimit dhe përfitimeve. Projekti udhëhiqet nga Universiteti St. Gallen në Zvicër dhe ka partnerë Rumaninë, Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Linnaeus-Palme 2016-2017/2016-2018, ID: 6939, reference number: 1980-2014.
Projekti Linnaeus-Palme është një projekt për shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe vizita të ndersjellta ndërmjet UT dhe Universitetit Linnaeus në Suedi. Në kuadrin e këtij projekti, 2 anëtarëve të departamentit DSIZ u është dhënë mundësia të japin mësim me studentët e masterit në LNU, Suedi, ndërkohë 2 pedagogë suedezë kanë dhënë mësim me studentët e masterit të degës së Informatikës Ekonomike, FE, UT.

Konferenca
Departamenti SIZ, tashmë si një njësi akademike kërkimore e shkencore e konsoliduar, organizon çdo vit konferencën ndërkombëtare me emërtimin ISTI (Information System and Technology Innovation - http://conference.ijsint.org/), duke krijuar vazhdimësi dhe një traditë të mirë për çështje që lidhen me zhvillimet e Teknologjisë së Informacionit, jo vetëm në mjedisin shqiptar, por edhe në rajon e më tej. Zhvillimi i këtyre konferencave bazohet në sukseset e konferencave të kaluara, të cilat kanë perfaqësuar një sukses për tematikën e trajtuar, numrin e pjesëmarrësve dhe cilësinë e punimeve. Ndër vite, konferencat e zhvilluara janë:

“Roli i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në zhvillimin e shoqërisë shqiptare", mbajtur në Qershor 2010;
“Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit dhe rëndësia e tyre në zhvillimin ekonomik”, Qershor 2011;
“Sistemet e Informacionit dhe Inovacionet në Teknologji: zbatimi i tyre në Ekonomi”, mbajtur në Qershor 2012;
“Sistemet e Informacionit dhe Inovacionet në Teknologji: drejt një Ekonomie dixhitale”, mbajtur në Qershor 2013;
῞Sistemet e Informacionit dhe Inovacionet në Teknologji: projektimi i tendencave drejt Ekonomisë së Re”, mbajtur në Qershor 2014;
῞Sistemet e Informacionit dhe Inovacionet në Teknologji: orientimi drejt Zgjidhjeve Moderne për Bizneset”, mbajtur në Qershor 2015;
῞Sistemet e Informacionit dhe Inovacionet në Teknologji: një paradigmë e re për një ekonomi të zgjuar”, mbajtur në Qershor 2016.

Copyright © 2024 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.